LAJME

Dritan Shakohoxha i ftuar nga studentët e Universitetit Bedër

10.04.2014

7 mars 2014

Gazetari i njohur sportiv Dritan Shakohoxha ishte i ftuari i radhës nga studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit dhe anëtarët e Klubit të Sporteve në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër). Në bashkëbisedimin e hapur me studentët, z. Shakohoxha fillimisht tregoi për hapat e parë në karrierën e tij dhe për sfidat me të cilat është përballur në profesionin e gazetarisë. Interesimi i studentëve për gjendjen aktuale të futbollit shqiptar ishte i madh, veçanërisht për fatin e Kombëtares.

Dritan Shakohoxha vuri në dukje hapat pozitivë që janë hedhur, ndërkohë që nuk përjashtoi edhe mundësinë e arritjeve të rezultateve të larta në të ardhmen nga Kombëtarja jonë. “Unë besoj se kjo Kombëtare mund të arrijë rezultate të mira në eliminatoret e Euro 2016, pasi ne gjithmonë jemi shumë herë më të mobilizuar kur luajmë me kundërshtarë që në letër janë më lart se ne. Asnjëherë nuk jemi mundur me rezultate të thella nga skuadrat e mëdha, ku në shumë raste ka vendosur edhe fati, siç kanë qenë ndeshjet e fundit me Holandën apo edhe me Portugalinë”, theksoi ai.             

Një nga temat e diskutuara ishte përdorimi i shqipes standarde në gazetarinë shqiptare, veçanërisht në komentimin e evenimenteve sportive, ku z. Shakohoxha theksoi se këtë çështje komentatorët sportive e diskutojnë shpesh edhe me specialistë të gjuhësisë. “Padyshim kjo mbetet një nga pikat ku ne si gazetarë duhet të përpiqemi të punojmë më shumë, edhe për ndikimin që kemi në shoqëri. Kjo lidhet edhe me nivelin e leximit dhe intelektual të gjithsecilit që punon në këtë fushë. Vetë gjuha shqipe është shumë e pasur sa për të mos përdorur fjalë të huaja në komentime ndeshjesh”, theksoi ai.

Mes batutash të shumta, duke shprehur edhe kënaqësinë, në përfundim të bashkëbisedimit nuk munguan edhe fotot e gazetarit Dritan Shakohoxha me studentët e pranishëm në sallë.