LAJME

Studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit nisin trajnimin “Arti i Komunikimit”

26.11.2015

Studentët e  Departamentit të Shkencave të Komunikimit nisin sot ciklin e trajnimit “Arti i Komunikimit” që ofron Qëndra e Medias dhe e Komunikimit pranë SHL Hëna e Plotë Bedër. Ky cikël përmban 16 orë ku do të trajtohen tema të ndryshme të përgatitura nën kujdesin e lektorit, Pandi Gjata.

Objektivat e këtij trajnimi janë që në fund të 16 orëve të “Artit të komunikimit” studentët të ushtrohen në praktikë për të mësuar; se si të qëndrojnë para mikrofonit dhe kameras, si të impostohen në një situatë apo në një tjetër, ku duhet të mbushen me frymëmarje, si të vendosin pikën dhe presjen në fjalitë që lexojnë, ku duhet t’i japin forcë fjalës dhe fjalisë, si të perdorin intonacionin e duhur në situata nga më të ndryshmet, si të dalin nga situata të vështira dhe të paparashikuara në një transmetim të drejtpërdrejtë, si te ushtrohen për të hequr dialektin dhe të flasin në gjuhë letrare, si të flasin dhe raportojnë nga terreni, fjalët që duhen zgjedhur në situata të caktuara, si të flasin me etikë,  dhe të mos përfshihen emocionalisht në një ngjarje të caktuar me qëllim që të jenë sa më të ftohtë dhe objektiv në raportimin që bëjnë, etj.

Studentët janë të ndarë në dy grupe dhe përmes detyrave do të organizohen në mënyrë të tillë që ta ndjejnë veten si në një redaksi radioje apo televizioni. Ato do të ndajnë me njëri tjetrin “rolin” e gazetarit, reporterit në terren, spikerit, drejtuesit të emisionit etj. Në këtë formë studentët do të familjarizohen me terrenin dhe praktikën, ku përveç bagazhit teorik studentët do të të njihen edhe me detaje të rëndësishme të punës së përditshme të një reporter në radio apo television.

Në fund të kësaj lënde synohet që studentët të jenë një hap parakolegëve të tyre të të njëjtit profil kur të përballen me redaksinë e radios apo televizionit dhe të trokasin për të kërkuar një vend pune.